mir se vini te zemra
  Muaj Ramazan...
 
TË VEÇANTA TË RAMAZANIT NDAJ MUAJVE TJERË
Islami shumicën e adhurimeve e ka lidhur me vitin hënor, që përbëhet nga 355 ditë, 10 ditë më pak se viti diellor. Kalendari hënor ka 12 muaj. Muaji fillon me hënën e re e cila pasi plotësohet, gjatë gjysmës së parë, kthehet përsëri në gjendjen fillestare. Ramazani është njëri prej muajve të kalendarit hënor.
Për shkak të diferencës 10 ditore me kalendarin hënor, këto muaj gjithmonë janë në lëvizje.
Islami nuk bie ndesh me këtë Univers, ku çdo gjë është në lëvizje, duke përfshirë galaktikat dhe grimcat më të vogla, atomet, elektronet. Islami me adhurimet që e zbukurojnë atë, janë një bashkësi konform këtij ligji. Dijetari i madh Ibn Kajim me të drejtë thotë: “Dije se nuk ka gjë në këtë univers që qëndron në gjendje konstante qoftë në natyrë qoftë në fe…, çdo gjë është në lëvizjë....”
Me kalendarin hënor, mundësia e përcaktimit se në ç’ditë në bazë të llogaritjes së kohës është më e lehtë, sepse cikli mujor i hënës shihet me sy të lirë nga çdokush. Gjithashtu duke u bazuar në kalendarin diellor i njëjti muaj, nuk ka klimë dhe gjatësi dite të njëjtë në vende të ndryshme të rruzullit tokësor. Kjo do të thotë se për një vend Ramazani, për shembull, do të ishte gjithmonë në dimër, e për ndonjë vend tjetër gjithmonë në verë sepse stinët janë të ndryshme për vende të ndryshme.
Këtu shpaloset Drejtësia dhe Mëshira Hyjnore e cila është e shpërndarë në mënyrë të atillë që të gjithë ta ndjejnë etjen dhe urinë në të gjitha stinët. Po kështu del në pah dhe urtësia e fjalëve pejgamberike, përse ne besimtarët muslimanë obligohemi të fillojmë edhe të përfundojmë adhurimet tona fetare si, muajin e agjërimin dhe haxhin etj, në përputhje me lëvizjen e hënës e jo të diellit, për të mos i bërë padrejtësi asnjë populli. Duke folur mbi këtë fakt, Pejgamberi Muhammed alejhi selam i urdhëroi besimtarët:
“Agjëroni kur të shihni hënën e Ramazanit dhe ndërpriteni agjërimin kur të shihni hënën e muajit tjetër.” [Transmeton Buhariu dhe Muslimi]
Shtrohet pyetja: Përse u caktua Ramazani si muaj agjërimi dhe nuk e pati këtë meritë asnjë muaj tjetër?
Fillimisht themi se sekreti i plotë i kësaj urtësie ndodhet tek Allahu, Krijuesi dhe Paracaktuesi i Vetëm, i Cili nuk pyetet për atë që vepron, ndërsa ne do të na kërkohet llogari për çdo veprim qoftë i vogël apo i madh! Është vetë Allahu, Ai që e emërtoi këtë muaj Ramazan, e urdhëroi këdo që është i pranishëm në këtë muaj, t’i agjërojë plotësisht ditët e tij. Për këtë Allahu thotë: “…kush prej jush e përjeton këtë muaj, ta agjërojë .…” [Bekare, 185]
Vlerat dhe mirësitë e këtij muaji të begatë e bëjnë Ramazanin muajin më të privilegjuar ndaj muajve të tjerë. Historia dëshmon se një mori ngjarjesh të rëndësishme kanë ndodhur pikërisht në këtë muaj.
Përmendim disa prej tyre:
1
Zbritja e shumë librave hyjnorë si: Tevrati, Zeburi, Inxhili, Kur’ani si dhe fletushkat e Ibrahimit.
2
Zhvillimi i shumë betejave mes muslimanëve dhe kundërshtarëve të tyre, shumica e të cilave kanë përfunduar në fitoren e muslimanëve, siç është lufta e Bedrit, çlirimi i Mekës, i Andaluzisë etj.
3
Këtë muaj ndërroi jetë profeti i Beni Israilëve, Musai alejhi selam, e po në këtë muaj Allahu me madhërinë e Tij ngriti në qiell Isain alejhi selam.
4
Pikërisht, në këtë muaj kanë vdekur figurat më të shquara të Ummetit Islam duke filluar me nënat e besimtarëve: Hatixhjadhe Aishja. Po në këtë muaj ndërroi jetë Fatimja dhe bashkëshorti i saj Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej të gjithëve.
5
Ky është muaji i ibadetit dhe i përkushtimit të plotë. Në të, Allahu fal, mëshiron, shpërblen e dhuron. Mbi vlerat e tij flet edhe hadithi që Ebu Hurejre përcjell nga Pejgamberi alejhi selam, i cili ndër të tjera thotë:
“Kur vjen Ramazani, hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen ato të zjarrit ndërkohë që lidhen shejtanët (më agresorë).”  [Transmeton Buhariu dhe Muslimi]
6
Ramazani shquhet si muaji që kultivon te besimtari durimin dhe maturinë, shpresën dhe dëshirën për të ecur përpara. Sikur ky muaj të mos i dhuronte atij vetëm sabrin dhe durimin, do t’i mjaftonte shpërblimi i pafund që Allahu ka përgatitur enkas për durimtarin:
“Bëni durim, sepse me të vërtetë Allahu është me durimtarët.” [Enfalë, 46]
Ndaj, mendohu o vëllai im musliman dhe motra ime muslimane, ta presësh këtë mik siç e meriton, duke e kënaqur atë me sinqeritetin dhe përkushtimin tënd ndaj tij. Le të jenë veprat dhe fjalët e mira ushqim për këtë mik të shumëpritur, shpresa për falje mëkatesh iftari yt dhe fitorja me Xhenet ëndrra jote në netët e këtij muaji të madhërueshëm.

Marrë nga revista "Muaji i Ramazanit", nr.1, Nëntor 2002
 
   
 
Diese Webseite wurde kostenlos mit Homepage-Baukasten.de erstellt. Willst du auch eine eigene Webseite?
Gratis anmelden